Pablo Paez Gavira, i njohur thjesht si Gavi, është kthyer në një nga emrat më premtues të botës së futbollit. Edhe pse vetëm 18-vjeçar, mesfushori i Barcelonës ka bërë paraqitje mjaft dinjitoze deri më tani, duke provuar se mund të jetë një lider i skuadrës në të ardhmen. Performancat e Gavit kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, me Manchester City dhe Chelsea që janë interesuar në zyrat e katalanasve për mundësinë e transferimit të lojtarit. Kjo ka vënë në alarm drejtuesit e Barcelonës, që kanë nisur menjëherë bisedimet për rinovimin e kontratës me talentin e tyre. Sipas asaj që raporton e përditëshmja spanjolle ‘Mundo Deportivo’, gjasat janë që Gavi të firmosë një kontratë të re me Barcelonën, duke parë dëshirën e madhe të tij për të përfaqësuar ngjyrat ‘blaugrana’. Kontrata aktuale e tij skadon në qershorin e vitit të ardhshëm, që ngre alarmin e një largimi të tij me parametra zero në fundin e këtij sezoni. Duke shfrytëzuar dëshirën e madhe të Gavit për të qëndruar në Katalunjë, Barcelona është pranë arritjes së rinovimit deri në 2026-ën, teksa në marrëveshje do të parashikohet edhe një klauzolë e largimit të tij për 100 milionë euro. Në aspektin personal, Gavi do të përfitojë një rritje të vogël të pagës së tij, që do të vijë vetëm në formë bonusesh, duke njohur problemet financiare të katalanasve.
Por pavarësisht se në media shkruhet shpesh rreth telasheve në financat e Barcelonës, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të ndalen në merkato. Është e mirënjohura ‘Sport’ që ka raportuar se Bernardo Silva mbetet një dëshirë e madhe për ta. ‘Blaugrana’-t tentuar afrimin e portugezit edhe gjatë verës që lamë pas, por nuk ia dolën të bindnin Manchester City dhe Pep Guardiolan, që e sheh Silvan shumë të rëndësishëm në skemat e tij. Barcelona do të përgatisë një ofertë të majme për kampionët e Anglisë, por mundësia e transferimit të Bernardo Silvas në ‘Camp Nou’ mbetet gjithësesi e vogël.