Zinedine Zidane e pati theksuar se do të donte më shumë nga Bale dhe uellsiani i dha përgjigjien në fushë duke shënuar në fitoren 3-1 që Los Blancos arritën në transfertën e vështirë përballë Real Sociedadit. Ishte minuta e 61-të, kur pas disa pretendimeve për faulle të miqve, Isco nxorri një top fantastik përpara, që u gjëmua dhe u parapri nga Bale. Ky i fundit pasi e zotëroi e ktheu në gol me një veprim të shkëlqyer. Gazeta AS analizoi gjithë dinamikën e aksionit dhe pretendoi se Bale kapi shpejtësinë prej 35 kilometrash në orë, duke nxjerrë tërësisht jashtë loje mbrojtësin Rulli. Ky realizim riktheu në mendje cilësitë e jashtëzakonshme atletike që zotëron Bale. Prezenca e tij në fushë që nga minuta e parë, vinte pasi Zidane kishte një listë të gjatë të të lënduarve. Në konferencën për shtyp pas takimit, francezi tha se ndihej i kënaqur nga performanca e 28-vjecarit dhe se prej tij mund të merrte edhe më shumë. “Ju pata thënë, ai dukej në formë. Ai është fantastik jo vetëm për kundërsulmet por edhe në lojë të mbyllur” – tha Zidane. Për Gareth Bale kjo ishte ndeshja më e mirë e tija që pas finales me Juventusin në Cardiff, ku shënoi pikën më kritike. Në fakt në qershor ai e pati deklaruar se nuk kishte pasur formë të mirë fizike. Pas 29 ndeshjesh dhe 136 ditësh mungesë, lëndimet duket se janë lënë pas krahëve nga Bale.