Nuk pati surpriza në javën e 13-të të kampionatit spanjoll. Jo vetëm nga të mëdhatë, Real Madrid, Barcelona, apo edhe Atletico Madrid, por gjithashtu edhe nga Girona. Skuadra katalanase vijon të jetë kryesuesja e vetme e La Ligas, teksa në xhiron e fundit, ia doli të triumfonte 2-1 ndaj Rayo Vallecano jashtë shtëpie.
Ndonëse një skuadër modeste dhe me emra futbollistësh jo elitarë, deri më tani, Girona ia ka dalë të ketë sulmin më të mirë, me 26 gola të shënuar, ndërsa në mbrojtje e ka nxjerrë 16 herë topin nga rrjeta.
Më tej, Real Madrid ka arritur njëë fitore tenistike ndaj Valencias në Bernabeu me shifrat 5-1, në një sfidë ku shkëlqyen Rodrygo dhe Vinicius, të cilët realizuan të dy nga dy gola, kurse një tjetër e realizoi mbrojtësi Dani Carvajal. Lajmi i keq për Los Blancos është dëmtimi i Jude Belligham, i cili falë lëndimit në shpatull do të jetë për të paktën dy javë jashtë fushave të lojës. Megjithatë, Reali mund të konsiderohet me fat në këtë aspekt, sepse futbolli i klubeve është ndërprerë, pasi radhën e kanë kombëtaret.
Pikë të plota ka arritur të marrë edhe Barcelona që në shtëpi mposhti me rezultatin 2-1 modestët e Alaves. Të dy golat e ekipit katalanas u realizuan nga Robert Levandovski. Falë 7 golave të shënuar këtë sezon në La Liga, Leva ka arritur t’i sigurojë plot 10 pikë Barcelonës, më shumë sesa çdo lojtar tjetër i kampionatit.
Sakaq, në javën e 13-të ka arritur të fitojë edhe Atletico Madrid, që në shtëpi ka fituar 3-1 përballë Villarreal.
Sa i përket renditjes së përgjithshme, Girona kryeson me 34 pikë, ndjekur nga Real Madrid me dy më pak. Në vendin e tretë klasifikohet Barcelona me 30 pikë, ndërsa një vend më poshtë është Atletico me 28 pikë.