Në rast të një telefonate nga Madridi, Massimiliano Allegri do ta lërë menjëherë Juventusin pavarësisht se ka një kontratë me bardhezinjtë deri në vitin 2020-të. Kështu pretendon gazeta AS në Spanjë e cila thekson se trajneri italian ka një dakordësi me drejtuesit e klubit që në rast se kontaktohet nga Florentino Perez, ata mos të bëhen ndalesë për lëvizjen e tij. Por ky raportim në Spanjë është i ndryshëm nga ajo që shkruante gazeta Tuttosport në Torino. Të premten kjo gazetë thoshte se një telefonatë të Perezit, Allegri tashmë e ka marrë, por asaj ai i është përgjigjur negativisht duke i komunikuar atij se ka vullnet të plotë për ta respektuar kontratën që ka me “Zonjën e Vjetër”.
Në Madrid shtypi mbetet në një valë spekulimesh. Emri i Allegrit është përfolur edhe gjatë sezonit që shkoi kur të dyja skuadrat u ndeshën në cerek-finalet e Champions League-ës. Zizou u ngacmua nga ideja për t’u rikthyer në Torino ndërsa Allegri për t’i marrë atij vendin në Madrid. Megjithatë italiani duhet thënë se nuk është i vetmi që përflitet si kandidat i mundshëm i Florentino Perezit. Kështu në listë mbetet Maurizio Pochettino, i lidhur me Tottenhamin deri në vitin 2023, ndërsa në radhë tanimë është futur edhe ish-mesfushori Guti.