Spanjë, AS analizon se Zidane u largua më shumë prej mos-dakordësive me Perezin

Sport

zidan dorheqje
Largimi i Zinedine Zidane vetëm 5 ditë pasi festoi titullin e tretë radhazi të Champions League-ës ka nxitur mediat spanjolle të kërkojnë arsye përtej deklaratave të tij. Arsyet që francezi tregoi në konferencën për shtyp nuk bindin. Gazetari Alfredo Matilla analizonte mbrëmjen e së enjtes se Zizou mund të jetë larguar më së shumti prej mos-dakordësisë që mund të ketë pasur ai me Presidentin Florentino Perez. Në fakt, sidomos gjatë këtij sezoni, shpesh herë dyshja kryesore e Realit ka qenë në diskordancë me deklaratat e bëra. Ndërsa Perez qe angazhuar personalisht për të transferuar portierin Kepa Arrizabalaga, Zizou e mbrojti vazhdimisht portierin kostarikan Keylor Navas.

zizu2

Këtë gjë e bëri me këmbëngulje sidomos pas duelit me Bayernin në Champions. Një tjetër kontrast publik mes Zidane dhe Perez ka të bëjë me çështjen Benzema. Francezi e ka mbështetur gjithmonë patriotin e tij, ndërsa Peres ka kërkuar zëvendësimin me një tjetër sulmues. Tjetër çështje më vete ishte ajo me Neymarin. Kur emri i tij u lakua nga i gjithë shtypi, Matilla rikthen në vëmendje deklaratën e Zizou-së, i cili qe shprehur se “s’e kishte kërkuar në asnjë moment brazilianin në Bernabeu”. Kështu sipas gazetës AS dhe analizës së gazetarit Alfredo Matilla më shumë se kërkesa për pushim, është diskordanca me Florentino Perezin ajo që nxiti këtë largim të Zizou-s.