Spanja e ka nisur me një “tërmet” 7 ballësh Botërorin e Katarit. Iberikët fituan 7-0 në ndeshjen e tyre të parë, atë ndaj Costa Rika-s, e vlefshme për Grupin E.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 për të besuarit e Luis Enriques, të cilët shënuan me anë të Dani Almos, Marco Asensios dhe Ferran Torres.
Më tej, kur nga fraksioni i dytë kishin kaluar vetëm 9 minuta, Ferran Torres shënoi të 4-tin dhe të dytin personal. Me këtë dopietë, 22 vjeçari u bë lojtari i 3-të në historinë e Spanjës që shënon një dygolësh në një Kupë Bote, pas Jose Iraragorri ndaj Brazilit në vitin 1934 dhe David Villa ndaj Ukrainës në vitin 2006-të.
Më pas, në minutën e 75-të, golin e 5-të e shënoi Gavi, duke u bërë lojtari i 3-të më i ri i historisë që shënon në një Botëror, vetëm 18 vjeç e 110 ditë. Vendin e parë e mban legjenda braziliane Pele, me 17 vjeç e 239 ditë ndërsa në të dytin është meksikani Manuel Rosas, 18 vjeç e 93 ditë.
Për t’u rikthyer tek ndeshja, në të 90-tën, Carlos Sloer shënoi të 6-tin, ndërsa 120 sekonda më conë, ishte radha e Alvaro Moratas për ta dërguar topin në rrjetë dhe për t’i vënë kapakun kësaj sfide.
Me 17 tentativa drejt portës, Spanja arriti të finalizonte 41.1% të tyre dhe ky është rekordi më i mirë në një Kupë Bote që nga viti 1966-të.
Pasi e ka nisur me këmbën e mbarë këtë turne, në ndeshjen e ardhshme, Spanja do luajë përballë Gjermanisë, ndërsa Costa Rica ndaj Japonisë.
Një nisje Botërorit i ka bërë edhe Belgjika, që triufoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Kanadasë, ndeshje e vlefshme për Grupin F. Në fakt, Kanadezët shpërdoruan një mundësi mjaft të mirë në minutën e 11-të, ku Alfonso Davies gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Më pas, në të 44-tën, Miki Batshuai e dërgoi topin në rrjetë për belgët, në atë që rezultoi të ishte edhe goli i fundit i sfidës.
Në takimin e dytë, Belgjika do luajë ndaj Marokut, ndërsa Kanadaja ndaj Kroacisë