Fernando Hierro nuk është më trajner i kombëtares spanjolle. Ish-lojtari i Real Madrid, i cili e mori këtë rol pas shkarkimi të Julen Lopetegui, largohet vetëm 25 ditë pas marrjes së kësaj detyre. Eleminimi i Spanjës që në raundin e 1/16-ave ka qenë një zhgënjim i madh dhe ajo çfarë e shtyu Hierron të largohej. Duhet theksuar në fakt se vendosja e tij në krye të stolit të “la Roja”-s ishte një vendim i shpejtë i federatës spanjolle, që kur kishin mbetur edhe 2 ditë nga fillimi i botërorit, e panë Hierron, në atë kohë drejtor sportiv tek Spanja, si njeriun më të përshtatshëm për të zënë vendin e Lopetegui në atë moment.
Për të marrë drejtimin e kombëtares spanjolle, federata ka zgjedhur Luis Enriquen. Madje shumë media sportive zbulojnë se bisedimet mes ish-trajnerit të Barcelonës dhe Romës me federatën kishin filluar prej kohësh. Luis Enrique ishte trajner i katalansve nga viti 2014 deri në 2017-ën. Gjatë kësaj periudhe ai ia doli të fitonte 2 herë kampionatin spanjoll me blaugranat, 3 “Kupa Mbreti” dhe 1 trofe të Champions League. Tashmë me Spanjën, Luis Enrique do të fillojë një aventurë krejtësisht të re, ku do t’i duhet të ndërtojë një skuadër që të mund të kthehet pretendente.