Pas eleminimit të dhimbshëm nga Botërori, në Spanjë janë ngritur pikëpyetje mbi shkaqet që e asaj që konsiderohet si dështim i paralajmëruar. Sipas shtypit spanjoll, dëbimi i teknikut Julen Lopetegi pak orë nga debutimi kundër Portugalisë, ishte një zgjedhje me pasoja. Praktikisht, aty u rrëzuan edhe siguritë e grupit, aq sa ecuria e mëtejshme u bë më e brishtë. Për më tepër kur erdhi në krye drejtori teknik Fernando Hierro, ish-mbrojtës i Realit të Madridit, por me asnjë përvojë si trajner, përjashto një periudhë të shkurtër me Real Oviedon në divizionin e dytë spanjoll. Në 4 ndeshje, Spanja fitoi vetëm një herë, për më tepër minimalisht, ndaj Iranit.Por më shumë sesa drejtimi teknik, gazetat në Gadishullin iberik kanë ngjitur papritmas në bankën e të akuzuarve presidentin e Realit, Florentino Perez, i cili me arrogancën dhe prepotencën e tij i dha një shtysë të fortë eleminimit të Spanjës. Pikërisht, Perez duhet të priste fundin e Botërorit, për të zyrtarizuar Lopeteguin. Ndërsa duke vepruar siç bëri, solli një përplasje frontale me presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales.
Madje edhe një sondazh i realizuar nga gazeta Marca ka nxjerrë presidentin e Realit (me 87%) si shkaktar për atë që ndodhi me “Furitë e Kuqe”. Ndërsa më pas vijnë vendimi i marrë nga presidenti Rubiales për shkarkimin e Lopetegui, si dhe disa lojtarë që ishin jo në lartësi. Mbi të gjithë është dalluar David De Gea, i cili e nisi Botërorin e tij me një gafë kundër Portugalisë dhe e përfundoi pa pritur asnjë penallti ndaj Rusisë. Pritet që Iniesta të mos jetë largimi i vetëm nga radhët e spanjollëve, duke parë moshën e madhe të një pjese të mirë të lojtarëve. Ndonëse Sergio Ramos ka deklaruar se do të jetë në Katar, edhe me mjekrën e bardhë. Ndërkohë kanë nisur të përmenden emrat e trajnerëve që mund të marrin drejtimin e Kombëtares, në përgatitje për Euro 2020. Favorit duket Kike Sanchez Flores, aktualisht pa kontratë pas largimit nga Espanjoli. Ai shihet si më i duhuri, për shkak të përvojës së tij ndërkombëtare dhe sidomos, për aftësitë për të bërë ndryshime, gjë për të cilën ka aq nevojë përfaqësuesja iberike. Tjetër kandidat është ish-tekniku i Barcelonës, Luis Enrike, që në të kaluarën ka shfaqur hapur dëshirën për të drejtuar një ditë Spanjën.