Spanja fiton minimalisht, Carvajal kritikon lojën e iranianëve, ky nuk është futboll

Sport

dani
Spanja arriti ta fitojë minimalisht 1-0 ndeshjen me Iranin në Grupin B duke marrë 3 pikët e nevojshme për vazhdimësinë e turneut. Sidoqoftë përballja në Kazan Arena nuk rezultoi dhe aq e thjeshtë. Iranianët u treguan shpesh të rrezikshëm dhe me shumë fat në prapavijë. Pas disa kontrastesh dhe kontestimesh mes Diego Costas dhe portierit kundërshtar, pikërisht braziliani i Spanjës realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 54-ët. Pasi pësuan golin, iranianët u munduan të luanin përpara dhe krijuan plot situata, madje edhe shënuan por goli i tyre edhe pse u festua në mënyrë të çmendur, ishte pozicion jashtë loje.

spain iran

Me vazhdimin e ndeshjes, agresiviteti dhe ndërhyrjet e ashpra zunë vendin kryesor. 28 faulle u bënë gjithë takimin. Fakti se iranianët kishin 3 pikë nga sfida e parë, i bënte ata që të luanin fort për barazimin, pasi në të tillë mënyrë do të ishin me një shans më tepër për të kaluar grupin. Sidoqoftë kjo nuk ndodhi pasi Spanja e Fernando Hierros e ruajti mirë rezultatin dhe po kështu edhe energjitë. Pas sfidës pati plot komente, Dani Carvajal ishte njëri prej atyre që kritikoi ashpër qasjen në lojë që kishin iranianët. “Skuadra e tyre qëndroi vetëm prapa, kaq! Kjo ishte taktika për ta përgjatë gjithë ndeshjes” – tha mbrojtësi i Realit të Madridit, i cili këmbënguli se ky nuk është futboll. Pas ndeshjeve të dyta, Grupi B kryesohet nga Portugalia dhe Spanja që kanë nga 4 pikë, Irani ka 3 dhe Maroku zero.