Me Luçiano Spallettin që pritet të largohet nga Napoli, klubi kampion i Italisë është duke studiuar situatën për të emëruar në krye të skuadrës një tjetër trajner. Mediat përtej detit raportojnë se Luis Enrique është një mundësi për të marrë drejtimin e të kaltërve.
Skema aktuale e Napolit është 4-3-3 dhe drejtuesit mendojnë të vazhdojnë me këtë system, me synimin që të ruhet tradita e viteve të fundit. Është pikërisht kjo një arsye përse preferohet Luis Enrique. Spanjolli është një admirues i kësaj skeme, ku përveç aspektit fizik, i kushton një rëndësi të veçantë teknikës dhe lojës së bukur, diçka që e ka bërë me Barcelonën, apo edhe me Spanjën.
Mirëpo, lista vazhdon edhe më tej, sepse Luis Enrique nuk është i vetmi që preferohet nga presidenti Aurelio De Laurentis. Julian Nagelsmann është një tjetër personazh që po monitorohet nga kampionët e rinj të Italisë. Që prej shkarkimit nga Bayerni, gjermani më tepër ka qenë i lidhur me klubet e Premier League, ndonëse konkretisht nuk është arritur asgjë.
Më tej, në listë nuk mungojnë as emra të trajnerëve italianë, duke nisur nga Antonio Conte, që për momentin është pa skuadër, Gian Piero Gasperini i Atalantës, Vinçenzo Italian oi Fiorentinës, apo edhe Raffaele Palladino i Monzas. Fundi sezonit nuk është larg dhe padyshim që për këtë temë pritet të flitet gjatë, derisa të caktohet një zgjedhje përfundimtare.