Përballen sot në orën 21:00 për ndeshjen e kthimit Barcelona dhe Manchester United. Ju sjellim më poshtë deklaratat e trajnerit dhe mbrojtësit të Manchester United. Ndiqni duelin live sonte në Tring Sport 1 HD.
“E dimë se na duhet të bëjmë një performancë më të mirë se në ndeshjen e parë. Nëse lojtarëve si Messi e Suarez u jep mundësi të luajnë me topin, atëherë do të vuash vërtet shumë. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe me ndërhyrjet që bëjmë. Është e vërtetë që nga ky stadium kam emocione të mëdha. Finalja e 1999-ës është e vetmja herë që kam luajtur këtu, por nuk dua të merrem me të shkuarën. Jam i përqëndruar për të bërë skuadrën të luajë më mirë se sa Barcelona. Jemi në disavantazh dhe kjo na i vështirëson pak gjërat. Por nëse kemi vërtetë dëshirë për të arritur një rezultat të mirë, atëherë besoj se mund t’ja dalim. Na duhet të gjejmë medoemos rrugën e rrjetës, por duhet që gjithashtu të mos u lejojmë të na godasin. Është e vërtetë që në goditjet standarte kemi një avantazh ndaj tyre, për shkak të gjendjes sonë fizike dhe shtatlartësisë, por mjafton një moment i zgjidhur në mënyrë të gabuar dhe kundërsulmet e tyre të shpejta mund të na hapin probleme. Nuk më intereson nëse ne shënojmë në minutat e fundit apo jo. Dua që ekipi të bëjë lojën me të cilën është mësuar dhe ta fitojë këtë takim.” – Ole Gunnar Solskjaer
“Jemi të ndërgjegjshëm se mund të bëjmë më mirë se në ndeshjen e parë. E gjitha çfarë është në mendjen tonë tani është shënimi i një goli, pasi kështu do të mund të rrisnim shanset tona në këtë takim. E dimë që në një fushë si kjo është mjaft e vështirë të fitosh, por ne duam të japim më të mirën tonë, pasi nuk mund të dorëzohesh pas vetëm 1 ndeshjeje. Jemi të përqëndruar dhe të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, kështu që besoj se në këtë takim mund të ndodhë çdo gjë.” – Diogo Dalot