Në një kohë kur lojtarë si Pogba e Lukaku mendojnë largimin, trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer po përpiqet të bindë të paktën pjesën tjetër të lojtarëve që t’i besojnë projektit të ‘djajve të kuq’. Pogba dhe Lukaku kanë oferta të mira nga jashtë Anglisë dhe veç tyre, interes të lartë ka edhe për portierin David De Gea. Çështja e rinovimit të këtij të fundit me skuadrën ka ecur me ritme shumë të ngadalta, pasi bisedimet për zgjatjen e kontratës nisën që në fillimin e sezonit të shkuar. 28-vjeçari mbetet ndër më të mirët në qarkullim në rolin e tij, por dëshira për të fituar trofe madhorë shihet si një arsye pse spanjolli mund të largohet. Klubi është përpjekur të bindë De Gean duke i ofruar një pagë të lartë, madje më të lartën në ‘Premier League’.
Megjithatë, portieri nuk ka nxituar për të firmosur dhe ndoshta vetëm gjatë kësaj vere mund të marrë një vendim final. Solskjaer nga ana tjetër u shfaq mjaft optimist kur u pyet për këtë çështje, duke shtuar se si De Gea, edhe klubi, e dinë se cila është gjëja më e mirë. Solskjaer beson se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja finale dhe ky do të jetë sipas tij një lajm shumë i mirë për të gjithë, pasi edhe lojtarë të tjerë mund të ndryshojnë mendje dhe të besojnë edhe më shumë tek projekti i United. David De Gea u transferua tek Manchester United nga Atletico Madrid në vitin 2011. Që nga ajo kohë, spanjolli numëron 362 ndeshje për ‘djajtë e kuq’, me të cilët ka fituar 1 ‘Premier League’, ‘FA Cup’, ‘League Cup’, 3 ‘Community Shields’ dhe 1 ‘Europa League’.