Orët e Ole Gunnar Solskjaer në krye të stolit të Manchester United duket se janë të numëruara. Norvegjezi u përball me një tjetër humbje të rëndë, kësaj radhe në ‘St.James Park’ kundër Newcastle, çfarë përkeqëson rekordin negativ të të besuarve të Solskjaer sa i përket ndeshjeve jashtë fushe.
Manchester United nuk ka fituar asnjë ndeshje zyrtare në transfertë gjatë këtij sezoni, me ‘djajtë e kuq’ që renditen në vendin e 12. Vetëm 9 pikë në 8 ndeshje janë shumë pak për një klub si Manchester United, ndaj largimi i Solskjaer duket të jetë çështje kohe. Tekniku norvegjez mori çdo përgjegjësi pas humbjes 1-0 kundër Newcastle, duke u shprehur se është detyra e tij për të çliruar lojtarët nga ana psikologjike.
Edhe portieri De Gea e pranoi se të gjithë në skuadër janë të tronditur me situatën e keqe që po kalon ekipi, por ajo që spanjollin e shqetëson më shumë është fakti se askush nuk di të japë një shpjegim rreth asaj që po ndodh tek ‘djajtë e kuq’. Sulmi i United lë shumë për të dëshiruar, ndërsa edhe mbërritja e Harry Maguire në merkaton verore nuk ka zgjidhur plotësisht problemet e prapavijës.
Njësoj si trajneri i tij, edhe De Gea vuri theksin tek mungesa e rasteve të krijuara, ndërsa kundërsulmet e kundërshtarëve mbeten një problem i madh. Madje në sfidën ndaj Newcastle, Solskjaer u përpoq të paralajmëronte pak para golit lojtarë si Fred apo Marcos Rojo të qëndronin të spostuar prapa, teksa United ekzekutonte një goditje nga këndi. Por mesazhi i norvegjezit nuk u përcoll si duhet dhe i 19-vjeçari Longstaff shënoi golin e fitores për Newcastle.