Solskjaer mendon për merkaton verore…

Sport

oleee sksjsdj
Humbja e dyfishtë përballë Barcelonës i dha fund rrugëtimit të Manchester United në Champions League për këtë sezon, duke bërë që i gjithë fokusi tashmë të kalojë tek lufta për vendin e katërt në Premier League. Megjithatë kjo nuk e ndalon trajnerin Ole Gunnar Solskjaer të përgatisë një listë ndryshimesh që do të kërkojë nga drejtuesit e klubit gjatë merkatos së ardhshme verore. Sipas ‘ESPN’, plot 8 lojtarë duket se nuk e kanë aspak të sigurt qëndrimin në ‘Old Trafford’. Juan Mata është nga ata të cilit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni, dhe marrëveshja për rinovimin për momentin duket larg. Në të njëjtën situatë është edhe kapiteni Antonio Valencia, i cili ka më shumë shanse për të qëndruar të paktën edhe 1 vit, për hir të asaj që ka dhënë gjatë këtyre viteve për klubin. Marcus Rashford duket të jetë i paprekshëm, pasi Solskjaer e sheh si pikë kyçe të projektit të tij.

2019 01 16 wic 47206517 I1

Edhe Paul Pogba duket se nuk do të lëvizë nga ‘djajtë e kuq’, pavarësisht se ndaj tij ka interes të fortë nga Real Madrid. Në pezull është e ardhmja e Matteo Darmian, Marcos Rojo, Eric Bailly, Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez, që nuk gëzojnë ndonjë simpati të madhe nga trajneri norvegjez. Në krye të listës së dëshirave shihen dy qendërmbrojtësa. Bëhet fjalë për Kalidou Koulibaly të Napolit dhe Raphael Varane të Real Madrid, që mbeten tratativa të vështira për t’u realizuar. Në mesfushë kërkohen shërbimet e Saul Niguez të Atletico Madrid, për të cilin ka kohë që kryen negociata edhe Manchester City. Sa i përket sulmit, dëshira e madhe e Solskjaer mbetet Jadon Sancho i Dortmund, për të cilin gjermanët kanë refuzuar të negociojnë. Megjithatë ‘djajtë e kuq’ do të vazhdojnë të këmbëngulin, pasi e shohin talentin anglez si lojtarin më të përshtatshëm për t’ju bashkuar Anthony Martial dhe Marcus Rashford.