Solskjaer këmbëngul se Pogba nuk do të largohet

Sport

Fjalët e agjentit Mino Raiola se është duke kërkuar një skuadër të re për Paul Pogba nuk janë pritur mirë tek Manchester United, por gjithësesi tek klubi anglez ndjekin me qetësi situatën. Pogba ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj vere për shkak të deklaratave të tij se mund të transferohej diku tjetër, sepse kërkonte sfida të reja, teksa Real Madrid dhe Juventus mbeten skuadrat më të interesuara për të. Megjithatë, trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer vijon të këmbëngulë se mesfushori francez nuk do të largohet nga skuadra. Solskjaer përsëriti fjalët e disa ditëve më parë, kur thoshte se në zyrat e United nuk ka ardhur asnjë ofertë për kampionin e botës. Gjithashtu, trajneri norvegjez tha se ka folur çdo ditë me Pogba dhe e di situatën e tij më mirë se kushdo tjetër, duke iu referuar spekulimeve mediatike që e shohin mesfushorin thuajse të larguar. Solskjaer nuk kërkoi të komentonte fjalët e agjentit të francezit, Raiola, por shtoi se nëse Pogba ka nevojë për sfida të reja, atëherë trajneri i ‘djajve të kuq’ mund t’i japë një të tillë brenda skuadrës.


Në fund Solskjaer foli edhe për merkaton e skuadrës së tij, që deri më tani kanë siguruar firmat me dy lojtarë, Daniel James nga Derby dhe Aaron Wan-Bissaka nga Crystal Palace. Tekniku i Manchester United u shpreh i kënaqur me punën e klubit në merkato, duke thënë se Wan-Bissaka ka qenë një nga objektivat kryesorë për të, ndërsa James është sipas tij një lojtar që ka potencial për t’u bërë ndër më të mirët në skuadër.