Manchester United siguroi fitoren e tretë për këtë sezon të ‘Premier League’ duke mposhtur në transfertë 3-1 skuadrën e Norëich City. Me këtë triumf, ‘djajtë e kuq’ u ngjitën në vendin e 7 sa i përket renditjes në ‘Premier League’, duke iu falur golave të Scott McTominay, Marcus Rashford dhe Anthony Martial. Për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, kjo fitore mund të sjellë pak qetësi sa i përket zërave të fortë që e shihnin të larguar nga drejtimi i Manchester United, ndonëse norvegjezi në konferencën pas ndeshjes është shfaque i qetë, duke iu përgjigjur kritikave. Solskjaer pranoi se rezultatet e javëve të fundit e shqetësuar jo pak, por nuk i interesojnë kritikat pavend të medias.
“Janë rezultatet ato që më kanë shqetësuar, jo kritikat apo opinionet e njerëzve. Cilido mund të thotë atë që mendon, por mua nuk më intereson kjo, nuk merrem me të tilla gjëra.”
Solskjaer u shfaq i lumtur për rikthimin me gol të Anthony Martial, duke e cilësuar francezin si një element mjaft të rëndësishëm për skuadërn e tij. Ndërsa më fund ka ardhur edhe një përgjigje nga trajneri norvegjez rreth dëmtimit të mistershëm të Paul Pogba, që mungon prej disa kohësh. Solskjaer konfirmoi se dëmtimi i Pogba është në gju dhe për këtë arsye, ai mund të qëndrojë jashtë skuadrës deri në muajin dhjetor. Mungesa e Pogba sipas teknikut të Manchester United është një element që peshon jo pak te skuadra e tij, por gjithësesi, Solskjaer është i lumtur me lojtarët që ka në dispozicion, pasi të gjithë sipas tij, kanë dëshirën për të dhënë kontributin e tyre në fushën e lojës.