Sneijder thotë se mund të kishte qenë në të njëjtin nivel me Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldon

Sport

Wesley Sneijder do të mbahet mend gjithnjë si një nga yjet kryesorë të Interit në vitin 2010, ose siç njihet pë tifozët zikaltër, ‘viti i tripletës’. Holandezi kishte një rol kyç në skuadrën e Jose Mourinhos, teksa ia doli të ishte protagonist edhe me Holandën, më të cilën shkoi deri në finalen e madhe të botërorit. Në një intervistë të dhënë së fundmi, Sneijder u shpreh se mund të kishte qenë në të njëjtin nivel me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, nëse do të kishte qenë më i vendosur, dhe ndoshta edhe pak më shumë egoist. Ish-mesfushori i Inter ishte pjesë e garës për të ‘Topin e Artë’ në vitin 2010, por u rendit vetëm i katërti, pas Lionel Messit, Andres Iniestas dhe Xavi Hernandez.

Holandezi u shpreh se për të do të ishte vulosja më e mirë e atij sezoni nëse do të rrëmbente çmimin e lakmuar individual, por gjithësesi thotë se nuk ka qenë i fiksuar me diçka të tillë. Sneijder zbuloi se i interesonte fakti që arriti të fitonte ‘Champions League’-ën, por është i vendosur se nëse do të kishte qenë më i përkushtuar në disa momente, do të kishte arritur të luante në nivelet më të larta të mundshme. Megjithatë, në fund ai tha se ka qenë gjithmonë një lojtar skuadre, të cilit i interesonin triumfet e skuadrës, prandaj për këtë arsye nuk ka asnjë pendesë sa i përket karrierës së tij. Sneijder mbylli karrierën e tij si futbollist në verën e këtij viti në moshën 35-vjeçare. Pas aventurës së suksesshme me Interin, ai luajti për Galatasaray-n, Nice dhe Al Gharafa në Katar.