Sneijder krahason Interin e Contes me atë të vitit 2010

Sport

Interi do të jetë sërish në një grup të vështirë në sezonin e ri të ‘Champions League’, teksa shorti do ta vërë përballë skuadrave si Barcelona dhe Borussia Dortmund. Megjithatë tek zikaltërit kanë shpresa të mëdha për këtë sezon të ri dhe një prej tyre që nuk e fsheh këtë gjë është edhe Wesley Sneijder. Ish-lojtari i Inter, i cili do të ketë rolin e ambasadorit të UEFA-s përgjatë këtij sezoni, foli me pritshmëri të mëdha ndaj Interit, ku sigurisht u ndal edhe tek krahasimet me Interin e vitit 2010, që është edhe hera e fundit që trofeu më i rëndësishëm për klube u fitua nga një skuadër italiane.


“Interi i Contes ka ngjashmëri të mëdha me Interin e 2010-ës. Kanë një trajner shumë të zotë dhe disa lojtarë me peshë. Qasja e lojës është e ngjashme, por janë një skuadër e re në krahasim me atë që kishim ne”.


Sipas Sneijder, shanset e zikaltërve këtë sezon janë të mëdha dhe loja që ofron Conte, mund ta kthejë Interin shumë shpejt në nivelet më të larta. Sipas holandezit, 10 vite pa një “Champions League” për Serie A janë vërtet shumë dhe ndoshta ka ardhur momenti që Interi të provojë të përsërisë atë sukses historik të një dekade më parë. Në 2010-ën, Sneijder ishte ndër faktorët kyç të Interit të Jose Mourinhos, skuadër e cila atë sezon do të tejkalonte çdo pritshmëri, duke triumfuar në fund në finalen e “Champions League” përballë Bayern Munich.