SKUKA, KLUBET ITALIANE VAZHDOJNE TE NGULMOJNE

Sport

Xhuliano Skuka duket gjithmonë e më larg Partizanit, ndoshta që në këtë merkato të janarit. Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë zbuluar një ofertë e majme ka mbërritur për sulmuesin kryesor të klubit kryeqyteteza. Bëhet fjalë për rreth 1.2 milionë euro, që ka ardhur nga një klub i Serisë A, por që për momentin, emri i tij nuk konfirmohet për shkak të negociatave. Ndonëse me shumë mundësi flitet se është Hellas Verona. Gjithsesi, rëndësi ka se është një klub që është gati të paguajë shifrën e majme për dibranin e sulmit të Partizanit. Pikërisht kjo ofertë duket se ka tunduar jo pak drejtuesit e kuq, që gjithsesi ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare pasi po vlereësojnë të gjithë situatën, duke përfshirë edhe një zëvendësues të mundshëm për Skukën, në mënyrë që reparti sulmues të mos humbasë forcën.

Bisedimet gjithsesi janë në rrugë të mbarë. Edhe pse trajneri Giovani Colella deklaroi se Skuka s’ka qenë në formë optimale – aq sa nuk luajti në sfidën e fundit me Vllazninë -, sido që të jetë, kërkesat e shumta për lojtarin, kanë bërë që stafi ta llogarisë shitjen e tij. Aq më tepër përballë një ofertë të parezistushme. Përvec Veronës, për sulmuesin që bën pjesën edhe në Kombëtaren shqiptare, ka pasur interes edhe nga klube të tjera italiane, si Leçe dhe Empoli. Ndonëse shumat e paraqitura deri tani në tryezë e drejtuesve nuk i kanë bindur ata.