Skuadrat më ‘fair-play’ dhe më të ‘pista’ të këtij sezoni deri më tani

Sport

Të zbatosh rregullat e ‘lojës së drejtë’, të njohur si ‘fair-play’ në fushën e lojës, të bën të marrësh një reputacion të mirë në sytë e tifozëve të futbollit. Por ndonjëherë, loja e ‘pisët’ dhe me shumë faulla, të jep suksesin. Një studim i fundit ka zbuluar se cilat janë skuadrat më ‘fair-play’ dhe cilat jo në kampionatet kryesore europiane. Në Angli, Liverpool-i po shkon drejt titullit kampion si skuadër që shkakton më pak faulla, me një mesatare prej 8,14 ndërhyrjesh të gabuara për ndeshje.

‘The Reds’ në fakt janë edhe skuadra më ‘fair-play’ në Europë deri më tani. Ekipi më i ashpër në këtë aspekt në ‘Premier League’ është Southampton, që shkakton mesatarisht 12,09 faulla për ndeshje. Shifrat janë më të larta në Spanjë, aty ku këtë sezon është vënë re një rritje e lojës së ashpër. Levante është ekipi më ‘fair-play’ në fushën e blertë me 10,63 faulla për ndeshje. Getafe këtë sezon po bën mjaft mirë, pasi për momentin mban vendin e pestë në renditje. Por pjesë e këtij suksesi duket se është edhe loja e ashpër, pasi janë skuadra me më shumë ndërhyrje të gabuara në ‘La Liga’, me një mesatare prej 18,58 faullash për ndeshje. Në ‘Ligue 1’ në Francë, Nice luan më ‘pastër’ se të gjithë rivalët, me 10,4 faulla për ndeshje, teksa ekipi më i ashpër është Montpellier me 15,85 ndërhyrje të gabuara.

Në Gjermani, Bayern shkakton vetëm 9,47 faulla për ndeshje dhe ka një diferencë të konsiderueshme me Union Berlin, që me mesataren 16,12, janë skuadra më e ashpër e ‘Bundesliga’-s. Surpriza ka në Itali, ku Napoli i Gennaro Gattusos është në fakt ekipi më ‘fair-play’ në ‘Serie A’ me pothuajse 12 faulla për ndeshje. Kurse ekipi më problematik në këtë aspekt është Torino, që shkakton mesatarisht 16,79 faulla për ndeshje.
Liverpool-i i Jurgen Klopp është skuadra me futbollin më të pastër në Europë për momentin, e ndjekur nga Silkeborg në Danimarkë dhe Hamburgu në ‘Bundesliga 2’. Ndërsa ekipet më problematike mbeten ato nga Serbia, me Vojvodinën që kryeson listën si skuadra me futbollin më të problematik në kontinent, pasi shkakton mesatarisht 22,89 faulla për ndeshje.