Rikthehet të jetë në qendër të vëmendjes Adrien Rabiot. Mesfushori i talentuar mbetet një nga objektivat kryesorë të skuadrave me emër në Evropë si Barcelona, Juventus apo Milan, kjo pasi francezi, pati refuzuar disa herë gjatë këtij viti ofertën e rinovimit nga PSG. Madje drejtues të skuadrave në fjalë kanë kontaktuar disa herë lojtarin për të bërë hapa përpara në tratativa. Mirëpo duket se gjërat po marrin një kthesë krejt tjetër dhe të papritur për klubet e interesuara. 23-vjeçari tashmë thuhet të ketë ndryshuar mendje e të ketë biseduar më drejtues të skuadrës aktuale, PSG, për vijuar gjetjen e një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës.
“L’Equipe” raporton se Rabiot është i kënaqur me rolin që trajneri Thomas Tuchel i ka dhënë në skuadër, dhe një rritje e konsiderueshme page do të ishtë një arsye tjetër e mjaftueshme për të mbajtur mesfushorin pjesë të skuadrës kampione të Francës. Megjithatë, kjo nuk i sfumon krejtësisht pistat e largimit për Rabiot. E përditëshmja franceze veçon Barcelonën si një destinacion të pëlqyer nga 23-vjeçari dhe me aq sa bëhet e ditur nga burimet pranë PSG, nëse lojtari dhe skuadra nuk gjejnë përsëri marrëveshjen, atëherë Rabiot do të jetë i lirë të nisë bisedimet zyrtare me skuadrën katalanase.