Igli Tare e ka vendosur. Pasi dëgjoi dhe vlerësoi ofertën që i erdhi nga Paolo Maldini për të qenë drejtori sportiv i Milanit, drejtuesi shqiptar vendosi të refuzojë ofertën e kuqezinjve. Sipas informacioneve që vijnë nga mediat italiane, Tare ka zgjedhur të mos largohet nga Lacio, për shkak të raportit që e lidh me presidentin Claudio Lotito dhe të gjithë ambientin bardhekaltër. Prandaj preferoi të mos lërë përgjysmë projektin e nisur me klubin roman. Nuk bëhet fjalë për arsye ekonomike, apo rinovime kontraktuale. Por thjesht për dashurinë ndaj Lacios. Ish-sulmuesi do të vazhdojë punën e tij, pa firmosur ndonjë kontratë të re, por thjesht duke përmbushur atë aktualen që skadon në 2022-shin. Kështu, pas trajnerit Simeone Inzagi, Lacio ka blinduar një tjetër element të rëndësishëm të projektit të vet. Milani i ri i Paolo Maldinit, pasi ka marrë zyrtarisht refuzimin e parë në projektet e të ardhmes, duhet të kërkuar një figurë tjetër për drejtorin sportiv. Tare ishte ‘plani A’ dhe tani, ish-kapiteni duhet të bazohet tek profile të tjerë, duke synuar ndoshta shokë të Milanit të tij, sic mund të jenë Zvonimir Boban, apo Manuel Rui Costa.