Minuta e 25-të e përballjes mes Interit dhe Empolit për javën e 19-të të Serisë A. Milan Skriniar me shiritin e kapitenit në krah ndëshkohet me kartonin e verdhë. Cerek ore më vonë kur rezultati ishte ende 0-0, sllovaku gabon ndaj Caputos dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Interi me 10 lojtarë në një ndeshje që deri në ato momente nuk po rezultonte e thjeshtë. Përfundimi Inter 0, Empoli 1. Në bankën e të akuzuarve Milan Skriniar, ose për ta përifrazuar fjalinë, në aeroport Milan Skriniar. Aventura e 27 vjecarit me fanellën zikaltër ka ardhur në fund. Fjalët e përfaqësuesit të tij përpara ndeshjes nuk lejonë hapësira për interpretime. “ Nuk ka asnjë shans të rinovojë”- deklaroi Roberto Sistici. Kontrata aktuale përfundon në fund të këtij sezoni dhe nëse Interi kërkon që të përfitojë sado pak, duhet që menjëherë të shesë të drejtat e lojtarit, i cili mbërriti në Milano në 2017-ën nga Sampdoria si një lojtar i talentuar dhe në “Pinetina” u shndërrua në një ndër mbrojëtsit më të mirë të Serisë A. “Telenvoela” e verës u mbyll me “tym të zi” sepse Interi e PSG nuk ranë dakort për shifrën, me parizienët që ofruan deri në 55 milion euro, teksa zikaltërit kërkonin minimum 70-të. 5 muaj më vonë në dritare është sërish Parisi, kësaj here natyrisht me një ofertë shumë më të ulët, maksimumi 12 milion euro, por që gjithsesi do ti bënin më tepër punë Interit se sa asnjë kacidhe. Në këtë mënyrë me sa duket lamtumira e Milan Skrinar po vjen edhe më e hidhur se sa pritej me atë ngjyrë të kuqe që pa ti valvitej nga arbitri Rapuano, megjithatë sllovaku do e marr ngjyrën e kuqe do i shtoj blunë si nuancë dhe do të nis rrugëtimin e ri në kryeqytetin e Francës.