Pas angazhimit të Scott Arfield dhe rikthimit të portierit Allan McGregor, Rangersi i Steven Gerrard bën një tjetër lëvizje në merkato, kësaj here lojtari do të vijë nga Liverpooli. Quhet Ovie Ejaria dhe është vetëm 20-vjeç dhe mund të kalojë te Rangersat me parametër zero. Talenti i përfaqësueses angleze, i cili ka luajtur deri më tani për të gjitha skuadrat zinxhire të “Tre Luanëve” qe huazuar te Sunderlandi dhe tanimë, me kontratën që është në përmbyllje, interesimi i Steven Gerrard mund t’i japë atij një mundësi tjetër. Gazeta The Sun raportoi se Gerrard ka qenë këtë fundjavë në Anfield ku ka shqyrtuar nga afër shumë alternativa.
BBC por edhe gazeta Express janë të mendimit se Ejaria nuk do të jetë lotjari i vetëm që do të vijë nga të kuqtë. Dy të rinjtë e tjerë Ryan Kent dhe Harry Wilson janë gjithashtu objektivë të Gerrardit, por që për këta të dy do të pritet vendimi i Jurgen Klopp. Ish-mesfushori i të kuqve po bën pikërishta të çka Presidenti Dave King pati deklaruar në fillim kur i besoi skuadrën. Shfrytëzimin e kontakteve që ai ka për ta riformuar grupin nga e para. Rangersat kërkojnë të formojnë shpejt një skuadër me shumë alternativa duke qenë se muajin e ardhshëm do të nisin fazën përgatitore për kualifikueset për në Europa League.