Java e 6-të e Premiershipit skocez u karakterizua nga një mori golash, por dhe rezultatesh surprizë. Kështu dy skuadrat pretendente, Celtic dhe Rangers, u ndalën në barazime, teksa Motherwell dhe Aberdeen shënuan fitore të thella. Të shtunën Ross County ndali në një barazim pa gola Blutë e Mark Warburton. Në Ibrox Stadium, Rangersat zhvilluan një tjetër ndeshje të dobët duke humbur ritmin e tre javëve të para. Raste pa-fund u shpërdoruan në të dyja pjesët dhe tashmë blutë e shohin veten në vendin e 5-të, 4 pikë më pak se Celtic-u i vendit të parë. Por ndalesën e Rangers-ave nuk e shfrytëzuan keltët e Brendan Rodgers. Pas humbjes 7-0 në Champions League, Celtic-u kërkonte të gjente fitoren e pestë radhazi në kampionat, por kjo gjë nuk u arrit pasi Invernes befasoi duke i barazuar 2-2 në shtëpi. Super-goli i Billy King tregoi se keltët do ta kishin të vështirë këtë përballje. Sinclair i riktheu ata në avantazh 2-1 në pjesën e parë, por një minut nga fundi Alex Fisher vulosi barazimin. Gjithsesi kampionët në fuqi mbeten në vendin e parë me 13 pikë dhe me një ndeshje më pak. Nga vendet më poshtë të kreut të tabelës, spikat Aberdeeni, që po gëzon një formë të mirë. Të kuqtë fituan 3-1 transfertën me Dundee-in dhe suksesi u shënua me përmbysje. Fillimisht Maddison barazoi golin e Holt, ndërkohë që në pjesën e dytë u realizuan edhe dy gola të tjerë. Stockley dhe McLean ishin autorët e golave. Aberdeen merr pikë me vlera, pasi në fundjavë pret Rangersat në shtëpi. Për sa i përket takimeve të tjera, u shënuan këto rezultate.