Skoci, Hearts mundin Celticun dhe marrin kreun, përfitojnë edhe Rangersat

Sport

celtic
Java e dytë e kampionatit skocez solli dhe surprizën e parë të këtij edicioni. Ashtu sikurse ndodhi edhe vitin që shkoi, udhëtimi në Edinburg nuk ishte aspak i lehtë për Celticun e Brendan Rodgers. Hearts të drejtuar nga 53-vjecari Craig Levein arritën të fitonin minimalisht 1-0 duke i dhënë mjaft zemër ecurisë pozitive që ata po kanë këtë muaj. Si fillim ndeshja nisi me mjaft raste të shpërdoruara nga 49 herë kampionët e Skocisë. Grifiths dhe të tjerët nuk ishin me fat, ndërsa Hearts dalë ngadalë besoi më fort. Pikërisht në pjesën e dytë erdhi dhe goli i fitores që mbajti autorësinë e Lafferty-s. Hearts nuk e humbi kurrë ritmin, madje duroi edhe presionin e 3 zëvendësimeve të Celticut.

hearts

Në fund fitorja u buzëqeshi edinburgasve të cilët ripërsëritën suksesin e dhjetorit kur asokohe ndalën keltët pas 74 suksesesh radhazi. Por nga kjo ndalesë e Celticut përfitoi jo vetëm Hearts, që zuri vendin e parë, por edhe Rangersi i Steven Gerrard. Blutë e Glasgow fituan 2-0 ndaj St. Mirren në një sfidë që u zgjidh për 25 minuta lojë. Morelos dhe kapiteni Goldson realizuan dy gola të shpejtë dhe sfida u duk tejet e lehtë për Rangersat. Por në minutën e 31-të, Mccrori u ndëshkua me të kuq dhe më pas blutë u detyruan të ndryshojnë qasje. Sidoqoftë në fund ia dolën ta mbrojnë rezultatin dhe kështu me këtë fitore iu ngjitën vendit të 3-të me 4 pikë, po aq sa ka edhe Hibernian, ndërkohë Celticu me 3 pikë zbret në vendin e 6-të dhe javën e ardhshme luajnë pikërisht kundër këtyre të fundit.