Skoci, fitore për Hearts dhe Celtic, Rangersat barazohen 3-3 nga Motherwell

Sport

hearts celtics
Java e tretë e kampionatit skocez rezervoi të tjera zhvillime interesante. Kështu Hearts vazhdoi ecurinë pozitive pavarësisht largimit të sulmuesit Lafferty drejt Rangersave. Skuadra nga Edinburgu arriti të fitojë 1-0 transfertën e vështirë me Kilmarnock. Skuadra e Craig Levein përfitoi nga dalja me të kuq e Dicker dhe arriti fitoren me golin e Ikpeazus 9 minuta përpara fundit. Por nga kjo javë padyshim ndeshja më e bukur ishte Motherwell-Rangers, e cila prodhoi plot 6 gola. Në Fir-Park blutë e Steven Gerrard pësuan gol që në minutën e tretë. Johnson shënoi për miqtë. Por pikërisht ish-sulmuesi i Hearts, Kyle Lafferty riktheu ekuilibrat 12 minuta më vonë.

motherwell

Pas këtij goli, një lojë e çmendur u pa deri në fund të pjesës së parë. McHugh riktheu Motherwellin në avantazh për shifrat 2-1, ndërsa Rangersat u munduan të reagojnë. Konkretizimi për ta do të vinte vetëm në 7 minutat e fundit. Lafferty dhe më pas Ejaria realizuan dy gola duke përmbysur në mënyrë të çmendur veriorët. Blutë synonin me patjetër fitoren për të rikuperuar pikë, por kjo fitore nuk iu buzëqeshi pasi në minutën e 94 goli i Hartley barazoi shifrat në 3-3. Kështu Rangersat morën vetëm 1 pikë nga Fir-Park. Në ndeshjen tjetër, në Glasgow, Celticu arriti të fitojë me mjaft vështirësi ndaj Hamilton. Kampionëve iu desht ndihma e Boyatas për të fituar ndaj një skuadre që mbetet në vendet e ulëta të tabelës. Sidoqoftë 3 pikët e ngrenë Celticun në vendin e dytë. Keltët kanë 3 pikë më pak se Hearts që mbetet në krye.