Zhvillime interesante ka patur këtë javë në merkaton e klubeve kryesore të futbollit skocez. Celticu i Brendan Rodgers arriti një marrëveshje të beftë me Charly Musondan e Chelsea-it. Belgu 21-vjeçar ka pranuar të huazohet me 48-herë kampionët e Skocisë. Huazimi parashikohet të zgjasë deri në vitin 2019-të dhe Musondas i është premtuar më shumë hapësirë. Ai aktivizohet si mesfushor i avancuar dhe po kështu luan edhe në krahë. Vlera e tij në merkato i kalon 10 milionë eurot dhe Brendan Rodgers u shpreh më se i kënaqur për këtë lëvizje. Për talentin belg, i cili nënshkroi kontratë 5-vjecare me Chelsea-in vetëm muajin e kaluar, interesoheshin plot 24 klube. Por ndërsa Musonda dhe Chelsea kanë rënë dakord të kryejnë ujdi me Celtic-un, Motherwell nuk ka pasur të njëjtën frymë. Keltët kanë kërkuar portierin Trevor Carson, si zëvendësues të të lënduarit Craig Gordon, por të kuqtë e kanë refuzuar ofertën e parë prej vetëm 200 mijë paundësh. Ndërsa Celticu huazon dhe kërkon të blejë, nuk bëjnë të njëjtën gjë te Rangersat. Danny Wilson ka vendosur të largohet nga blutë e Glasgow, për t’iu bashkuar Colorados në Major League Soccer. Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, pati nënshkruar një kontratë 3-vjecare me Rangersat, me opsion për një vit tjetër, por nuk ka dashtur ta ushtrojë këtë opsion, dhe do të largohet kështu me parametër zero. Në vend të tij Rangersat kanë huazuar nga Norwich-i Russell Martinin.