Skënderbeu drejt historisë në Champions

Sport

skenderbeu-653x420
Skënderbeu është një hap larg historisë, pas fitores 2-0 ndaj Milsamit në transfertë, për sfidën e turit të tretë eliminator të UEFA Champions League. Hamdi Salihi ishte protagonist i padiskutuar për kampionët korçarë, me një dygolësh tjetër pas atij ndaj Krusejdërs, duke u bërë kështu sulmuesi i parë shqiptar që shënon 4 herë në ndeshjet e kompeticionit më prestigjoz të futbollit europian. Skuadra e Josës, përveçse hyn seriozisht në garë për grupet e Champions, me arritjen e “play-off”-it do të kishte të garantuar grupet e Europa League, në rast eliminimi në ndeshjet e gushtit.
Ndërkohë, edhe UEFA i ka bërë jehonë arritjes së Skënderbeut, duke e cilësuar rezultatin 2-0 si më të mirin e së martës, po ashtu si edhe fitoren e Monaco në Zvicër ndaj Young Boys. “Monaco e Skënderbeu, gati për play-off”, ka qenë titulli i madh i UEFA.com, duke theksuar faktin se këto dy ekipe udhëtuese ishin të vetmet që fituan me dy gola diferencë.
Në Korçë tashmë kanë nisur të mendojnë për kundërshtarin e mundshëm të “play-off”-it. Lajmi i mirë është se do të shmangen skuadra me emër si Lacio, Manchester Junaited, Valencia apo Sporting Lisbonë. Gjithsesi, rreziqet quhen Basel, Selltik, Salsburg, Viktoria Plzen apo Steaua e Bukureshtit. Një opsion është edhe përballja me serbët e Partizanit të Beogradit, që megjithatë më parë duhet të kalojë rumunët e Steauas. Vetëm pas kësaj do të lindte në horizont mundësia e një tjetër dueli Shqipëri-Serbi.

Kundërshtarët e mundshëm të korçarëve
Fituesi i çiftit Lech Poznan – Basel
Fituesi i Makabi Tel Aviv – Victoria Plzen (ndeshja e parë, 1-2)
FItuesi i Salzburg – Malmo
Fituesi i Steaua – Partizan Beograd
FItues i Celtic – Karabak