Nuk ka marrëveshje mes Juventusit dhe Chelsea për një shkëmbim mes Dusan Vlahoviç dhe Romelu Lukakut. Pavarësisht bisedimeve, që zgjatën disa ditë, dy klubet në fjalë, nuk kanë arritur dot në një pikë të përbashkët.
Në paketë, në drejtim të Zonjës së Vjetër, Chelsea ofronte Lukakun, 25 milionë euro, plus bonuse të tjera, në mënyrë që të siguronte shërbimet e Vlahoviç. Mirëpo klubi italian nuk ishte i kënaqur me këtë ofertë, por kërkonte nga 30, deri në 35 milionë euro.Për këtë arsye, sipas mediave të huaja, Chelsea ka vendosur të reflektojë dhe t’i thotë jo një marrëveshjeje të tillë. Sigurisht që nga një lajm i tillë, gëzohen tifozët e Juventusit, të cilët, nuk e donin belgun pjesë të skuadrës së tyre. Në kushte si këto, Blutë e Londrës, tashmë janë të hapur që ta shesin sulmuesin në Arabinë Saudite. Lukaku ka ende edhe 3 vite të tjera kontratë në “Stamford Bridge”, ndërsa vlera e tij në tregun e merkatos nuk cilësohet më tepër sesa 40 milionë euro. Forma e paqëndrueshme e lojtarit, ka bërë që në dy vitet e fundit, vlera e tij të bjerë me ritme tepër të larta. në 2021-shin, kartoni i Lukakut kushtonte plot 100 milionë euro.
Në fakt, ofertat nga Arabia Saudite nuk kanë munguar për belgun. Më herët, ai i ka refuzuar ato, sepse ishte i vendosur për të vazhduar ende në Europë, pasi besonte se mund të luante edhe për disa kohë në nivele të larta. Mirëpo, duke marrë parasysh që për të, përveç Juventusit, klubet e tjera nuk kanë treguar ndonjë interes të lartë, atëherë Lukuaku mund të jetë i gatshëm që këtë herë, t’i marrë më në konsideratë ofertat nga Lindja e Mesme. Merkatoja në Arabi mbyllet në mes të muajit Shtator, çka do të thotë se koha është e mjaftueshme që 30 vjeçari të reflektojë siç duhet.
Nga ana tjetër, Juventusi mbetet gjithashtu i hapur të dëgjojë ofertat për Dusan Vlahoviç. Bayern Munich mbetet një mundësi për ballkanasin, kartoni i të cilit vlerësohet 80 milionë euro nga Zonja e Vjetër. Duke marrë parasysh që Bayerni ofroi më tepër se 100 milionë euro për Harry Kane, por pa arritur të ketë sukses, atëherë është mëse e besueshme që klubi gjerman të hidhet në sulm për Vlahoviç.
Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u konfirmuar në ditët vijuese të merkatos së verës.