S’ka fitues në aktin e parë gjysmëfinal mes Real Madrid dhe Manchester City

Sport

Akti i parë gjysmëfinal mes Real Madrid dhe Manchester Cityt, pati gjithçka…pati spektakël, pati raste shënimi, pati edhe gola, por në fund nuk pati fitues. Në “Santiago Bernabeu” palët u ndanë në barazim 1-1, për t’ia lënë vendin aktit të kthimit në Manchester, aty ku do të vendoset përfundimisht se cila prej të dyjave do të shkojë në finalen e Stambollit.

City e nisi më mirë, po tregohej më kërkues, me Realin nga ana tjetër, që po e priste me qetësi kundërshtarin. Duhet të mbërrinte minuta e 36-të e sfidës, që “Bernabeu” të shpërthente në festë. Vinicius Junior, i shërbyer nga Eduardo Camavinga, e dërgoi topin në fundin e rrjetës, falë një gjuajteje fantastike nga jashtë zonës.

22 vjeç e 301 ditë, anësori i sulmit të Real Madrid, është bërë tashmë amerikano-jugori i tretë më i ri në moshë që shënon 15 golat e tij të parë në Champions League, pas bashkëkombasit të tij të skuadrës, Rodrigos dhe Lionel Messit.

Gjuajtja e Vinicius, që përfundoi në rrjetë, ishte e para dhe e vetmja në portë për Real Madrid gjatë gjithë pjesës së parë. Një statistikë, e tillë, për Los Blancos nuk ndodhte që nga edicioni i largët 2002/03.

Mbetemi tek të zotët e shtëpisë, teksa kjo ishte ndeshja e 190 e trajnerit Carlo Ançelotti në Champions League, duke barazuar në këtë mënyrë edhe rekordin total që mbahej nga Sir Alex Ferguson.

Sa i përket vizitorëve të Manchester Cityt, golin e barazimit për kampionët e Anglisë e shënoi Kevin De Bruyne në minutën e 67 të ndeshjes. Ky ishte goli i 14-të i belgut në Champions League, 7 prej të cilëve kanë ardhur nga jashtë zonës. Që prej edicionit 2015/16-të, kur është bërë pjesë e Manchester Cityt, asnjë lojtar tjetër në Champions League nuk ka shënuar dot kaq shumë nga distanca.

Deri më tani, kemi parë vetëm gjysmën e spekatklit që garanton një gjysmëfinale e tillë. Të mërkurën e ardhshme të 17 Majit, më Manchester priten të tjera emocione të mëdha, aty kun a pret një tjetër 90 minutësh i zjarrtë, ose edhe më shumë se kaq. Kualifikimi mbetet i hapur, por nëse i mbështetemi historisë, Real Madrid është kualifikuar vetëm 2 herë nga 9 rastet e përgjithshme kur nuk ka arritur të fitojë në ndeshjen e parë në shtëpi.