Situatë e rrëmujshme tek Manchester United. Sezoni që po zhvillojnë djajtë e kuq, mund të ketë dalë jashtë parashikimeve të çdokujt, sepse të gjithë prisnin një skuadër më kompetitive këtë sezon, por fusha e lojës, po tregon një tjetër realitet.
Djajtë e kuq rrezikojnë të eliminohen nga faza e grupeve e Champions League, teksa për të mësuar fatin e tyre, duhet të presin ndeshjen e javës së gjashtë, teksa duhet theksuar, që edhe nëse fitojnë ndaj Bayern Munich në shtëpi, fati, sërish nuk është në dorën e tyre, por në të tjetërkujt.
Ndërsa në kampionat, vendi i 7 në klasifikim është shumë pak dhe Untied nuk mund të konsiderohet dot një skuadër pretendente për titullin kampion.
Përgjatë këtij edicioni, skuadra ka pësuar 10 humbje në vetëm 21 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet dhe mbi një situatë të tillë, sytë janë kthyer nga trajneri Erik Ten Hag. Në daljet e tij për shtyp, hollandezi vazhdimisht shprehet se ka besim se skuadra e tij do të rikthehet në rrugën e fitoreve, por mesa duket, lojtarët e United, nuk i preferojnë më taktikat e 53 vjeçarit hollandez.
Sikurse raportojnë mediat në ishull, në dhomat e zhveshjes së djajve të kuq ka probleme dhe trajnerit i ka dalë situata jashtë kontrollit. Disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, madje 50% e lojtarëve ndihen të lodhur nga seancat stërvitore të Ten Hag, të cilat nuk po rezultojnë të suksesshme. Madje, njëzëri, ata mendojnë se edhe idetë që tekniku në fjalë ka mbi funksionimin e lojës, janë të gabuara, sepse nuk po sjellin asnjë përmirësim në rezultate.
Në lidhje me të tilla raportime, i shpejtë ka qenë edhe reagimi i klubit të Manchester Untied, që me anë të një komunikimi në kanalin zyrtar, ka bërë me dije, se asgjë e raportuar nuk është e vërtetë dhe se United do të marrë masa ligjore ndaj mediave që kanë raportuar informacione të pavërteta. Madje për disa prej tyre janë vendosur menjëherë sanksione, duke mos i lejuar më të marrin pjesë në konferencat për shtyp.