Situata tek Juventusi, ja lojtarët që mund të rinovojnë kontratën

Sport

Që prej kohës kur Cristiano Giuntoli është emëruar Drejtor Sportiv i Juventusit, rinovimet e kontratave të futbollistëve, kanë qenë gjithmonë ndër temat më të diskutuara. Sikurse bëjnë me dije mediat italiane, Juventusi është duke u përgatitur të rinovojë kontratën me Adrien Rabiot. Rivovimi i fundit i mesfushorit është bërë në Qershorin e këtij viti, por u krye për vetëm një sezon, çka do të thotë se në verën e ardhshme, francezi fiton të drejtën për t’u larguar me parametera zero nga Allianz Stadium. Megjithatë, krerët e Juventusit janë duke e ndjekur me kujdes një situatë të tillë dhe për këtë arsye kanë nisur nga puna që lojtari në fjalë, të rinovojë sërish.

Nisur nga raportimet, bëhet fjalë për një tjetër marrëveshje një vjeçare. Me këtë lëvizje, Juventusi po përpiqet të sigurohet, që nëse Rabiot vendos të largohet në verë, kjo të mos ndodhë me kosto zero.

Nëse rinovimi ndodh, nuk pritet të ketë ndonjë përmirësim në termat financiarë, me lojtarin që aktualisht përfiton 8 milionë euro në sezon dhe është jo vetëm në një prej lojtarëve më të paguar të skuadrës bardhezi, por edhe të të gjithë kampionatit italian.

Po ashtu, në listën e rinovimeve, janë edhe Federico Chiesa, Bremer, apo edhe Dusan Vlahoviç. Për këtë të fundit, përditësimet në merkato nuk mungojnë herë pas here. Pavarësisht se marrëveshja aktuale e serbit është e vlefshme deri në verën e 2026-tës, largimi nga klubi torinez është konsideruar gjithmonë një mundësi. Vlahoviç nuk është një simpatizant i lojës së trajnerit Massimiliano Allegri, e për këtë arsye mendon të luajë diku tjetër. Ofertat në drejtim të shtatlartit të ofensivës, kryesisht kanë ardhur nga Anglia.

Vlera aktuale e kartonit të lojtarit në tregun e merkatos, konsiderohet 70 milionë euro dhe që kjo shifër të mbetet në këto nivele, Juventusi është duke këmbëngulur që 23 vjeçari të rinovojë.