Sir Alex Ferguson, inspiruesi i trajnerit aktual të Manchester United

Sport

Sir Alex Ferguson është inspirimi i trajnerit actual të Manchester United, Erik ten Hag. Emërimi i Ten Hag në krye të United, duket sikur ka kthyer entuziazmin në radhët e klubit 20 herë kampion të Anglisë. Përveçse ka siguruar një trofe këtë sezon, United është në garë edhe për një tjetër, ku në finalen e FA Cup do të përballet me Manchester Cityn. Besimi në radhët e tifozëve, se United ndodhet në rrugën e mbarë për t’u rikthyer në kohët e arta, është i madh.

Në media është përfolur shumë se Ten Hag ka rikthyer rregullin dhe disiplinën brenda kampit, diçka që mungonte prej një kohe të gjatë. Në lidhje me një situatë si kjo, tekniku hollandez është shprehur se ai ka marrë si shembull pikërisht etikën e punës së legjendarit Ferguson, të cilin e ka si burim frymëzimi të karrierës së tij.

“Pas largimit të Sir Alex, kultura e punës në klub kishte ndryshuar. Një ndër kualitetet më të mëdha të tij ishte pikërisht standarti i lartë që kërkonte çdo ditë prej lojtarëve dhe jo vetëm. Kur erdha këtu, doja të riktheja pikërisht atë traditë. Kështu që, gjithësecili që punon në klub, përfshirë këtu stafin, po ashtu edhe lojtarët, duhet ta organizojnë jetën e tyre në standartin më të lartë”, janë fjalët e 52 vjeçarit.

Më tej, hollandezi është shprehur se ai qëndron në kontakt të vazhdueshëm me Ferguson, opinionet, apo komentet e të cilit i dëgjon me kënaqësi. Numri një i stolit në “Old Trafford”, ka cituar më tej se ai kërkon të përfitojë sa më tepër nga eksperienca e gjatë e Sir Alex.

Përveçse ka fituar një trofe në sezonin e tij të parë në Teatrin e Ëndrrave dhe është në garë për një të dytë, po ashtu, Ten Hag, arriti që ta rikthente skuadrën në fazën e grupeve të UEFA Champions League për edicionin e ardhshëm futbollistik.