Sindrit Guri në stol, Oostende pëson humbje

Sport

guri sid
Pas disa paraqitjeve të mira në 5 javët e para si titullar, Sindrit Guri përfundoi për herë të parë në pankinën e Oostende në ndeshjen e fundit të Jupiler League në Belgjikë kundër St.Truiden. Ulja në stol e tij befasoi jo pak, përderisa sulmuesi shqiptar ishte kthyer në një pikë referimi për repartin e avancuar të skuadrës belge, ku u transferua gjatë kësaj vere. Ish-sulmuesi i Korabit dhe Kukësit u aktivizua vetëm në minutën e fundit të takimit që skuadra e tij e humbi 0-1. Mungesa e Gurit u vuaj jo pak nga Oostende, që krijoi shumë pak raste përpara portës. 

gert

I pyetur mbi këtë zgjedhje të habitshme që bëri, trajneri Gert Verhejen ka shpjeguar se kishte sakrifikuar Gurin në këtë ndeshje, për të hequr paksa barrën e përgjegjësisë nga shpatullat e sulmuesit shqiptar, i cili po ndjente paksa trysninë në periudhën e fundit. “Doja të largoj presionin nga shpatullat e Sindrit, pasi ky nuk është lojtari që ne kemi parë në veprim në Shqipëri. Ai qartësisht kërkon të mbajë shumë peshë mbi shpatullat e tij”, rrëfeu trajneri duke shpjeguar se kjo ndikonte në paraqitjet e lojtarit dhe veprimi i tij ishte një mënyrë për të nxitur sulmuesin të shfaqej më i qetë në ndeshjet e ardhshme. Pas 6 javësh, Ostende mban vendin e 7 në renditje, me vetëm 9 pikë pas 3 fitoreve e po aq humbjeve. Deri tani, sulmuesi shtatlartë shqiptar ka 5 herë si titullar, duke gjetur një herë rrjetën, në atë humbje 5-2 përballë Anderlehtit në javën e dytë.