Simone Inzaghi thotë se Interi mund të fitojë Serie A, Champions League dhe Kupë

Sport

Interi do të fitojë tripletën këtë sezon. Ky është qëndrimi i trajnerit zikaltër, Simone Inzaghi. Pas fitores 2-0 të Mërkurën mbrëma ndaj Feyenoord në transfertë, numri një i kampionëve në fuqi të Italisë, u shpreh për mediat, se skuadra e tij ka potencial për të fituar gjithçka këtë sezon. I pyetur nëse Interi mund të luftojë në kampionat dhe Champions League, 48 vjeçari, menjëherë, shtoi gjithashtu se ai synon të fitojë edhe Kupën, duke plotësuar në këtë mënyrë, tripletën, diçka që Interi e ka bërë vetëm një herë në histori, në vitin 2010, me në krye Jose Mourinhon. “Serie A dhe Champions League? Jo, do të luftojmë edhe për Kupën”, janë ndër të tjera fjalët e Inzaghit, që në fakt kanë shkaktuar një reagim të madh në mediat botërore sportive. Në fakt, kjo deklaratë e Inzaghit, është lexuar gjithashtu edhe si ironike, për shkak të kritikave që Interi ka marrë përgjatë kohëve të fundit, për paraqitje jo të mirë në fushën e lojës. E duke qenë se zikaltërit, janë në garë në të treja kompeticionet, e pavarësisht se ndonënjeë nuk prodhojnë lojë në nivelin e pritshmërive, Inzaghi ka thënë se skuadra që ai ka në dispozicion, do të provojë të triumfojë në të gjtiha frontet ku merr pjesë.