Tashmë është zyrtare. Simone Inzaghi ka rinovuar kontratën me Interin, deri në vitin 2025. Marrëveshja e mëparshme e teknikut italian, skadonte në verën e ardhshme, por palët vendosën që “bashkëjetesa” e nisur dy edicione më parë, të vazhdojë edhe për dy të tjera, me një pagrë prej 5.5 milionë eurosh në sezon, por që mund të shkojë edhe më tepër, nëse në fund, përmbushen objektivat.
Puna e Inzaghit në krye të klubi zikaltër është vlerësuar pozitivisht nga drejtuesit, që nuk e kanë humbur besimin e teknikut të tyre edhe në situata kritike të sezonit. Madje, edhe atëherë kur është menduar se Inzaghi do të shkarkohej, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Deri më tani, numri një i bankinës së 19 herë kampionëve të Italisë, ka fituar 4 trofe, dy Kupa dhe dy Superkupa të Italisë. Mirëpo, nuk duhet harruar se në sezonin e lënë pas, ai ishte pranë një ëndrre shumë të madhe. Interi shkoi deri në finalen e madhe të UEFA Champions League, atje ku për herë të fundit e kishte parë veten në 2010-tën.
Ndonëse nuk u kthyen triumfues nga Stambolli, me performancën e dhënë në fushën e lojës, Interi mori vëmendjen e botës dhe merita për këtë gjë i shkoi pikërisht trajnerit Inzaghi.
Sa i përket këtij edicioni futbollistik, Interi e ka nisur shumë mirë. Tre fitore në 3 javët e para të Serie A, duke qenë në këtë mënyrë kryesues i kampionatit me pikë të plota, së bashku me Milanin e vendit të dytë.