Simone Inzaghi pranë rinovimit të kontratës me Interin

Sport

Mungon vetëm e zeza mbi të bardhë. Interi dhe Simone Inzgahi do të vazhdojnë “bashkëjetesën”, të nisur dy vite më parë. Sikurse raportojnë mediat përtej detit, klubi dhe tekniku janë shumë pranë rinovimit të kontratës, deri në vitin 2025.

Marrëveshja e tyre aktuale përfundon në 2024-tën, mirëpo paketa do të përditësohet edhe për një tjetër vit.

Në mbledhjen që drejtuesit e klubit, kanë zhvilluar bashkë me takticienin 47 vjeçar, përfundimet mund të cilësohen pozitive. Inzaghi konsiderohet timonieri i duhur për ta mbajtur Interin në nivele të larta dhe për ta ngjitur ekipin në shkallë më të larta të suksesit, nodnëse buxhetin e shpenzimeve e ka me pikatore.

E në fakt, Inzaghi i ka dhënë të qarta shenjat në këtë aspekt. Përgjatë dy edicioneve të kaluara në krye të 19 herë kampionëve të Italisë, ish-sulmuesi ka arritur të fitojë 2 Kupa dhe 2 Superkupa të Italisë. Mirëpo, në rrugëtimin e deritanishëm, nuk duhet të harrojmë pa përmendur edicionin që lamë pas. Ndonëse nuk mund të merrej aspak në konsideratë kur sezoni filloi, Inzaghi arriti që ta dërgonte Interin e tij deri në finalen e madhe të UEFA Champions League, ndonëse në Stamboll, u mposht nga Manchester City.

Megjithatë, pavarësisht shijes së hidhur që të lë humbja, paraqitja në finale ishte dinjitoze, duke krijuar bindjen, se Inzaghi duhet të vazhdojë të jetë ende në krye të kësaj skuadre, pavarësisht se për punën e tij në “San Siro” nuk kanë munguar as hijet e dyshimit dhe këtu mjafton të përmendim një periudhë negative në kampionat, ku situata nisi të dilte nga kontrolli.

Gjithësesi, edhe atëherë kur kishte pak shpresë, Inzaghi ka ditur të mbijetojë, duke e kthyer situatën në favor të tij.

Në të tilla kushte, zyrtarizimi i rinovimit të kontratës duket thjesht çështje kohe. Me sezonin e ri futbollistik në prag, Interi i Inzaghit do ta fillojë sërish nga e para, me synimin që në fund, të fitojë medalje të rëndësishme.