Simone Inzaghi paralahjmërohet nga drejtuesit e Interit

Sport

Simone Inzaghi merr paralajmërimin e parë nga drejtuesit e interit, për një shkarkim të mundshëm nga roli i trajnerit. 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, e kanë futur skuadrën zikaltër në një krizë rezultatesh dhe problemi kryesor qëndron në faktin se fundit i sezonit po afron dhe koha për të rikuperuar është shumë e limituar.

Përpara se të fillonte gjysmëfinalja e parë ndaj Juventusit në Kupën e Italisë, Drejtori i Përgjithshëm i Interit, Giuseppe Marotta ka qenë i qartë në mesazhin e tij, se nëse deri në fund të sezonit, nuk do të arrihen disa objektiva, atëherë Inzaghi do të shkarkohet.

“Inzaghi ka besimin tonë. Ne jemi ende aktivë në Champions League dhe në Kupë, e për këtë jemi të lumtur. Mirëpo, nëse deri në fund, nuk arrijmë të gjejmë vazhdimësi në rezultate, dhe nëse nuk sigurojmë vendin e 4 në kampionat, atëherë duhet të rishohim planin tonë”, ka thënë Marotta, i cili ka nënkuptuar se Inzaghi do të pushohet nga detyra.

Një shenjë kthese, Interi e dha të martën mbrëma, teksa barazoi 1-1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, në “Allianz Stadium” ndaj Juventusit. Golit të Cuadrados në minutën e 83, iu përgjigj Romelu Lukaku në të 95-tën nga pika e bardhë e penalltisë. Ndeshja e kthimit në “San Siro”, do të luhet në 26 Prill, aty ku do të përcaktohet përfundimisht se cila skuadër do kualifikohet në finale të kompeticionit.