Simone Inzaghi fiton çmimin “Pankina e Artë” në Itali

Sport

Simone Inzaghi ka fituar çmimin “Pankina e Artë”, si trajneri më i mirë i sezonit 2023/24 në Serie A. Në ceremoninë e përvitshme, organizuar nga Federata Italiane e Futbollit, numri një i stolit të Interit, është votuar nga kolegët e tij, si më i preferuari nga të gjithë, duke marrë 26 vota, e duke lënë në vendin e dytë Gian Piero Gasperinin me 14 vota. Në vendin e tretë doli Vinçenzo Italiano me 4 vota.

Në deklaratën e kurorëzimit, Inzaghi tha se është një privilegj i madh që ka fituar një çmim aq shumë prestigjoz, të njohur nga Coverciano, shkolla e futbollit italian.

“Është një nder i madh të votohesh nga kolegët dhe të fitosh këtë çmim kaqë shumë të rëndësishëm. Këtë trofe, e ndaj me të gjithë bashkëpunëtorët e mi dhe me lojtart, sepse në këto 4 vite, ata kanë dhënë gjithçka dhe më të mirën e tyre. Nuk dua të harroj këtu edhe drejtuesit e klubit të Interit, e gjithashtu edhe familjen time për përkrahjen”, ishin disa nga fjalët e Simone Inzaghit.

Inzaghi e fitoi çmimin “pankina e artë”, si pasojë e titullit kampion të fituar një vit më parë me Interin. Por, edhe këtë edicion futbollistik, Interi i tij është gjithashtu pretendenti kryesor për të triumfuar sërish në Serie A. Madje, jo vetëm kaq. Interi është totalisht në garë edhe për të fituar njëkohësisht edhe Kupën e Italisë, ndërsa shpresat janë të mëdha për të shkruar historinë edhe në Champions League, atje ku skuadra e Inzaghit është e kualifikuar në çerekfinale të kompeticionit.