Diego Pablo Simeone beson ende se Antoine Griezmann mund të qëndrojë te Atletico e Madridit. 27-vjecari lakohet prej kohësh se do të largohet nga Metropolitano me destinacion, Barcelonën, Manchester United-in, ose PSG-ën. Edhe pse ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2022, francezi thuhet se është i etur për trofe të rëndësishëm, sikurse mund të jetë Champions League-a. “Padiskutim që ne duam më të mirën për Griezmannin, por duhet të bëjmë çmos që ta bindim se kjo skuadër e ka një të ardhme të ndritur, të shpresojmë që ai të lëkundet nga kjo dhe në fund të vendosë për të qëndruar” – ka thënë trajneri argjentinas.
Pas një fillim-sezoni me plot ulje-ngritje, ku Atletico e kishte të vështirë t’i fitonte ndeshjet dhe aq më shumë të gjente rrugën e rrjetës, Griezmann ishte lojtari që përmbysi situatën duke nxjerrë një formë fantastike. 27-vjecari ka shënuar 26 gola dhe 13 asiste duke bërë që Atletico të shkojë në gjysmë-finalet e Europa-League-ës dhe nga ana tjetër në La Liga, të mbetet e vetmja skuadër që i shkon pas Barcelonës në vendin e dytë. Sidoqoftë në horizont për francezin janë mundësi të reja. Me Atleticon ai ka fituar vetëm një Superkupë Spanje të katër viteve më parë, prandaj Europa-League-a është trofeu që sipas Simeones do të mund t’i tregonte atij se e ardhmja mund të jetë me trofe edhe në Madrid.