Si shkoi java e futbollistëve shqiptarë në Itali?!

Sport

Përgjithësisht ishte një fundjavë pozitive për futbollistët shqiptarë që aktivizohen në Serinë A. Përveç Strakoshës, protagonist ishte edhe portieri tjëtër i kuqezinjve, Etrit Berisha, autor i disa pritjeve vendimtare në përballjen me Cristiano Ronaldon dhe Juventusin. Aq sa shmangu një humbje edhe më të thellë sesa rezultati 2-0 për Spalin. Ndërkohë që paraqitja e jashtëzakonshme i solli edhe një vlerësim më të lartë sesa Ronaldo, në notat që jepen nga ana e mediave italiane.

Pas pushimit në mesjavë ndaj Romës, titullar në mbrojtjen e Atalantës u kthye Berat Gjimshiti. Teksa bergamaskët triumfuan 4-1 në fushën e Sasuolos, me një poker golash të fiksuar që në pjesën e parë të takimit. Ndërsa Elseid Hysaj u rikthye të luajë më në fund me Napolin, por vetëm si zëvendësues në çerek orëshin e fundit të ndeshjes së fituar 2-1 përballë Breshias. Shkodrani mori një karton të verdhë gjatë atyre minutave të aktivizimit, por gjithashtu edhe u vlerësua për paraqitjen e tij.
Ndërkaq, Marash Kumbulla te Verona u la në stol gjatë barazimit 1-1 kundër Kaljarit. Mbrojtësi 19-vjecar vinte nga një ndeshje pezullimi pas kartonit të kuq të marrë me Juventusin. Gjithsesi, trajneri Juric ka preferuar ta lërë pushim, ndryshe nga kosovari Rahmani, i cili vijon të luajë pa ndërprerje.