Si shkoi fundjava e lojtarëve shqiptarë në Serinë A?

Sport

Me përjashtim të Elseid Hysajt, i cili nuk u aktivizua në fitoren 4-1 të Napolit në Lece, të gjithë lojtarët e tjerë të Kombëtares kuqezi luajtën nëpër ekipet respektiv në fundjavën e Serisë A. U kthye të bëjë paraqitje të mira Tomas Strakosha dhe Lacion e tij, me portierin shqiptar që ia doli të mbyllë ndeshjen me Parmën, përveçse me fitoren 2-0, edhe pa pësuar gol. Ndërkohë që mediat italiane kanë evidentuar faktin sesi Strakosha arriti të shmangë gabimet e bëra në dy ndeshjet e fundit ndaj Spalit dhe Kluzhit. Në krahasim me Strakoshën, portieri tjetër i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha nuk shmangu dot humbjen, teksa u detyrua të nxjerrë 3 herë topin nga rrjeta në sfidën kundër Sasuolos. Gjithsesi nuk pati çfarë të bënte në rastin e golave të pësuar. Madje pati merita që Spali i tij regjistroi një humbje më të thellë. Paraqitje pozitive, shoqëruar me një barazim 2-2 të arritur në minutat shtesë, bëri edhe Berat Gjimshiti ndaj Fiorentinës. Mbrojtësi që vinte nga zhgënjimi i debutimit të tij në Champions League, pati një reagim pozitiv në sfidën e kampionatin, me mbylime të sakta dhe duke qenë i pakalueshëm në lojën ajrore.

Përvojën më të keqe ndër legjionarët kuqezi mund të thuhet se e përjetoi Marash Kumbulla i Veronës. E jo vetëm se përballë kishte një nga lojtarët më të mirë në botë, si Cristiano Ronaldo, dhe kampionët në fuqi të Juventusit. Pas një nisjeje jo të mirë të ndeshjes, ku u ndëshkua edhe me të verdhë pas një faulli ndaj Dybalas, lojtari 19-vjecar rriti dalëngadalë rendimentin e tij, duke qenë dominues sidomos në ajër. Por ndeshja e tij kundër bardhezinjve u njollos nga kartoni i dytë i verdhë në fund, çka i kushtoi daljen me të kuq.