Si duket e ardhmja e Paul Pogba?

Sport

Ndonëse ende jo zyrtarisht, Paul Pogba duket se ka vendosur të ardhmen e tij. Në merkaton e verës së këtij viti, mesfushori do firmosë një kontratë me PSG aty ku për sezonet e ardhshme do mbrojë ngjyrat e klubit me bazë në kryeqytetin francez. Madje, palët kanë arritur të firmosin edhe një parakontratë mes tyre.

Në këtë mënyrë, gjigantët e Ligue 1 e kanë bllokuar lojtarin, për të mos patur mundësinë që të shkojë diku tjetër. Të paktën ky është raportimi që vjen nga mediat spanjolle, e jo vetëm. Dukshëm, kampioni i botës ishte distancuar nga rinovimi me Manchester United, aty ku ka vendosur që të largohet përfundimisht nga Old Trafford, për t’iu bashkuar ekipit të drejtuar nga Mauricio Pochettino. Në këtë panoramë ngjarjesh, të përfshirë për të siguruar shërbimet e Pogba, ishin edhe Juventusi, së bashku me Real Madrid.

Mirëpo si përfundim, lojtari nuk ka preferuar të rikthehet në Torino, e as të transferohet në Spanjë tek Los Blancos, ndoënse për këta të fundit, objektivi madhor mbetet Kylian Mbappe. Në këto kushte, Pogba ka zgjedhur që të luajë futboll në vendin e tij të lindjes dhe të bëhet pjesë e një klubi, që ndër të tjera, plotëson edhe kërkesat e tij financiare.

Për momentin, në aksin Manchester – Paris punimet po zhvillohen nën zë, ndërsa pritet të bëhen konkrete në përfundim të këtij sezoni futbollistik.