Valère Germain debutoi me 3 gola me Olympique Marseille-n duke i dhënë skuadrës së Rudi Garcias garancitë për një kualifikim në Europa League. Në sajë të kësaj performance, gazeta La Provence, i kushtoi të premten faqen e parë. Ndërkohë në Itali, lajmi kryesor ishte për merkaton e Juventusit. Corriere dello Sport raportoi se përforcimet e bardhezinjve janë Matuidi i PSG dhe Keita i Lazios. Për këtë të fundit ka ende mos-dakordësi për sa i përket cmimit të shërbimeve. Lazio kërkon më shumë se 15 milionë euro. Në Francë vazhdohet të flitet për Mbappen. L’Equippe e hapi sërish faqen e parë me 18-vjecarin, ku titulli fliste për cmimin e vërtetë që kanë shërbimet e tij. Drejtuesit e Monacosë thonë se për talentin francez shifrat mund të shkojnë deri në 200 milionë. Në Angli ndërkohë, sipas Daily Star, Manchester United është rikthyer në interesimin për Gareth Bale. Mourinho e vlerëson shumë uellsianin, ndërsa Reali i Madridit thuhet se është gati të arkëtojë para. Ky raportim ishte i pranishëm edhe te gazetat e tjera, ku madrilenët thuhet se duan të mbledhin të ardhurat e mjaftueshme për të marrë në skuadër Mbappenë. The Sun kishte vëmendjen te Antonio Conte dhe plani i tij për të marrë në skuadër dyshen angleze Barkley dhe Chamberlain, operacion i cili do t’u kushtojë bluve rreth 50 milionë paundë. Në Spanjë Mundo Deportivo mbante sërish vëmendjen te Neymari. Sipas kësaj gazete Barcelona i ka kërkuar PSG të paguajë klauzolën prej 222 milionë eurosh ose në të kundërtën nuk ka marrëveshje.