E premtja e shtypit sportiv ndërkombëtar kishte si lajm kryesor shkarkimin e Claudio Ranierit. Kështu Daily Mirror e hapi faqen e parë me titullin “I tadhëtuar nga dështimi i dhelprave”. Sipas kësaj gazete Ranieri u shkarkua pas revoltave të disa prej yjeve të skuadrës. Shkarkimi i 65-vjecarit pati vend në faqet e para edhe në Itali. Gazzetta Delo Sport për shembull e cilësoi largimin e Ranierit si mosmirënjohje. Daily Telegraph në Angli krahas faqes së parë kushtuar tashmë ish-trajnerit të Leicester-it, kishte një lajm për Wayne Rooney-in, i cili thuhet se do të qëndrojë me Manchester United-in dhe nuk do të largohet drejt Kinës. Në Spanjë ripërtëritja e kontratës së Lionel Messit vazhdon të bëjë “tërhiq-e-mos e këput”. Së fundmi AS raportoi se babai i argjentinasit e ka lënë klubin katalan pa asnjë përditësim në lidhje me bisedimet. Situata është në pikën kur Barça i ndruhet faktit se marrëveshja mund t’i kushtojë shumë nëse Messi nuk bindet me ofertën aktuale. Ndërkohë Marca raportoi një lajm në merkato ku thuhet se Reali i Madridit i ka vënë syrin dyshes së Monacos Bernardo Silva dhe Mbappe. Të dy talentet e bardhekuqve po ndiqen nga shumë klube, por që Zidane thuhet se ka dërguar vëzhgues për t’i parë më nga afër. Në Francë L’Equipe analizoi pagat e yjeve të sportit, ku nga sportistët trikolor Tony Parker vazhdon të jetë më i paguari me 12.5 milionë dollarë në vit.