Shtypi ndërkombëtar, vëmendja te Messi, Verrati, Juventus-Inter dhe Kupa e Mbretit

Sport

mesisihsheu

Shtypi sportiv ndërkombëtar u hap të mërkurën me raportime të ndryshme për sa i takon merkatos. Në Spanjë vëmendja kryesore mbetet te Lionel Messi, Mundo Deportivo e hapi faqen e parë me titullin “Messi qëndro!”. Katalanasit zhvilluan seancën e parë stërvitore për këtë vit me dyert e hapura dhe të gjithë tifozët e pranishëm thërrisnin me kore ndaj argjentinasit, i cili ende nuk e ka ripërtërirë kontratën. Në Itali Tuttosport e hapi faqen e parë me thirrjen e Juventusit për Marco Verratin. Sipas kësaj të përditshmeje në korrik bardhezinjtë pritet të bëjnë një tjetër goditje të madhe në merkato, teksa agjenti i shtatshkurtrit ka konfirmuar se Verratti nuk do të qëndrojë te PSG. La Gazzetta dello Sport e hapi faqen e parë me titullin “Të gjithë kundra të gjithëve”. Kjo gazetë nënvizon faktin se për shumë emra të përmendur për të lëvizur në merkato, ekziston një duel mes Juventusit dhe Interit. Ndër emrat kryesor mbeten Berardi, Pellegrini, Bernardeschi dhe Verratti. Në Angli vëmendjen kryesore e mori deklarata e Guardiolës sipas së cilit City-it i duhen edhe 10 vite për të kapur Manchester United-in. Pikërisht për sa i përket “Djajve të Kuq” The Sun raporton se Morgan Schneiderlin mund të jetë i pari që do të largohet me destinacion Marseille-in, Evertonin ose West Bromwich Albion. Estadio Deportivo rikthen vëmendjen në Kupën e Mbretit, aty ku Reali i Madridit ka përballë Sevillan, një duel ku sipas kësaj gazete mbizotëron respekti.