Shtyhet takimi i Bayern dhe Tottenham për Harry Kane

Sport

Shtyhet takimi mes drejtuesve të Bayern Munich dhe atyre të Tottenham për Harry Kane. Pasi ballafaqimi i parë u zhvillua në mes të Korrikut, dhe palët nuk gjetën dot një gjuhë të përbashkët, këtë të premte, ishte përcaktuar një tjetër tryezë, mirëpo mediat e huaja raportojnë se mbledhja është anulluar.

Takimi do të zhvillohej në Londër, mirëpo zyrtarët e Bayernit nuk kanë fluturuar drejt ishullit, e për këtë arsye, bisedimet janë shtyrë për një moment të dytë dhe me shumë mundësi do të zhvillohen javën e ardhshme, e më konkretisht në ditën e Hënë.

Harry Kane është një objektiv madhor i Bayernit këtë verë, mirëpo deri më tani, palët nuk kanë arritur dot në një emërues të përbashkët.

Kampionët e Gjermanisë kanë ofruar rreth 80 milionë euro për sulmuesin anglez, mirëpo nga ana tjetër, Spurs synojnë të arkëtojnë afërsisht 115 milionë euro. Bayerni po i vjen rrotull investimit më të shtrenjtë të bërë ndonjëherë në historinë e klubit, mirëpo gjiganti i Bundesligës kërkon që ta ulë sa më tepër kërkesën e pretenduar nga Tottenham.

Bavarezët mund të ngushëllohen me faktin se Kane ka vetëm një vit të mbetur në kontratë, e si pasojë, verën e ardhshme mund të largohet me parametra zero nga Zambakët e Bardhë. Klubi londinez e di mirë këtë gjë.

Në pamundësi për të rinovuar kontratën me kapitenin, Kane do të shitet patjetër këtë verë, e ndoshta, Tottenham do të jetë i detyruar të ulë pretendimet. Për këtë arsye, Bayerni kërkon të përfitojë sa më tepër të mundet nga ky detaj. Sidoqoftë, të tjera zhvillime pritet të ndodhin në ditët vijuese mbi një ngjarje të tillë.