Europiani i verës së këtij viti u shty zyrtarisht. UEFA, pas mbledhjes përmes video-konferencës me 55 Federatat anëtare, vendosi ta zhvillojë në 2021-shin, duke nisur nga 11 qershori deri 11 korrik. Mund të thuhet se ka qenë një vendim, që ka pasur si prioritet dhënien e hapësirës për kampionatet evropiane që janë të pezulluara për momentin, por që sipas organizmit më të lartë të futbollit kontinental duhet të mbyllen brenda 30 qershorit. Gjithmonë nëse situata emergjente e Coronavirusit do të garantonte rinisjen e tyre.
Mirëpo mësohet se UEFA kërkon që t’i japë akoma më shumë priroritet përfundimit të Champions League (dhe Europa League), përpara kampionateve që kanë disa javë për të luajtur deri në finish. Aq sa ekziston ideja që ndeshjet e kompeticionit më prestigjoz edhe të mund të luhen në fundjavë, kurse ato të kampionateve gjatë javës. Një mundësi që gjen pengesë tek Seria A italiane, që ka më shumë ndeshje për të rikuperuar sesa kampionatet e tjera. Gjithsesi për momentin mbetet thjesht një hipotezë.
UEFA duket se ka përjashtuar mundësinë e zhvillimit të ‘play-off’-eve, megjtihëse ishte hedhur ideja e një “final four” me sfida teke. Ndërkohë që kanë nisur të studiohen 7 kalendarë të mundshëm, me të cilët do të merret një grup i posacëm. Qëllimi është të rinisë rrugëtimi rreth fundit të prillit dhe të mbyllet gjithcka brenda 30 qershorit, me finalen e Europa League më datë 24 në Danzika dhe atë të Champions më 27 qershor në Stamboll. Megjithatë asgjë nuk mund të parashikohet me saktësi, aq sa ndoshta do të shkohet edhe përtej qershorit.