Një tjetër shqiptar do të ketë shansin për të luajtur vitin e ardhshëm në Serinë A. Nuk bëhet fjalë, fatkeqësisht për Ledian Memushajn, por për mbrojtësin e ri të Veronës dhe pjesë e Kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla. Skuadra e tij fitoi të dielën të drejtën për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian, pas fitores 3-0 në finalen e “play-off”-it të Serisë B kundër Citadelës. Edhe pse veronezët ishin mposhtur në takimin e parë me rezultatin 2-0, ia dolën të përmbysnin shifrat. Pjesë e skuadrës që rikthehet pas 1 sezoni mes më të mirëve, është edhe mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla.
Futbollisti pritej të ishte pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga tekniku Edi Reja për dy ndeshjet e qershorit ndaj Islandës dhe Moldavisë, megjithatë për shkak të angazhimit me klubin veronez, Kumbulla nuk u përfshi ndër lojtarët në dispozicion të teknikut italiane. Megjithatë edhe në ndeshjen e së dielës, mbrojtësi nuk është preferuar në listën e lojtarëve të gatshëm për Veronën, që gjithsesi ia doli të fitojë. Por Kumbulla ka kontributin e tij për arritjen e objektivit madhor për veronezët, teksa gjatë sezonit 19-vjeçari ka qenë 15 herë i grumbulluar me skuadrën e parë, duke pasur mundësinë të zbresë në fushë për 2 ndeshje.